Umberto Eco – Përse e dua mjegullën

Të gjitha borxhet duhen paguar, të paktën për sa më përket mua.
Që kam pasur të themi jo interes për mjegullën, por një adhurim të vërtetë, kjo është shenjë e fatit, duke qenë se kam lindur në Aleksandri, qytet që e krahasojnë me Londrën. Më ka ndodhur herë pas here që të shkruaj për të (duke filluar me një poezi të tmerrshme të shkruar kur isha vetëm 16 vjeç) madje sapo nisa që të shkruaj romane sapo më jepej mundësia vija pak mjegull lart e poshtë. Ndërkaq, botuesi im gjerman më ka kërkuar që të shkruaj një libër të posaçëm për mjegullën. Dihet se si janë disa ftesa, që edhe po t‘i refuzosh ta lenë krimin brenda dhe të shqetësojnë gjumin e natës. Kështu, thuajse për shaka, nisa të shfletoj nëpër bibliotekën time libra në të cilët më kujtohej se flitej për këtë fenomen të natyrës dhe më në fund, duke qenë se jetojmë në epokën e internetit nisa të “lundroj” në rrjet në kërkim të të gjitha atyre fjalëve në gjuhë të ndryshme të botës që kishin të bënin me mjegullën. Si përfundim kisha arritur që të bëja bashkë rreth 100 faqe material, disa të zakonshme, të tjera më të pamundura si “Fumifugium” i John Evelyn 1661, në fakt më shumë se për mjegullën fliste për smogun që kishte nisur të rëndonte mbi qiellin e Londrës që në atë shekull. Nuk më kujtohet nëse ishte si pasojë e materialit që po kërkoja për mjegullën, apo për një përkim të thjeshtë, por në atë periudhë më erdhi ideja e shkrimit të “Flaka misterioze e mbretëreshës Loana”. Duke qenë se ishte një libër në të cilën flitej për një fëmijëri piemonteze, mjegulla nuk mund të mungonte, madje hyri me forcë falë hulumtimeve që kisha bërë për mjegullën. Pikërisht kur unë mendoja se dija gjithçka për këtë fenomen zbulova se një shkrimtar italian po merrej me zërin “mjegulla” në fjalorin e termave letrarë. Pashë se autori kishte pikasur disa që mua më kishin shpëtuar pa i vënë re.
Unë mendoj se detet e jugut mund t‘i duash edhe pse mund të kesh lindur në vende të ftohta e me ngrica, por për sa i përket mjegullës, nëse nuk ke lindur në një zonë me mjegull nuk mund ta duash kurrsesi. Ata që anë lindur në mjegull pëlqejnë jo vetëm grinë dhe sfumaturën që ajo u jep kodrave të largëta, por Zoti na faltë, edhe mjegullën në autostrada, në të cilën njerëzit e
mjegullës i japin makinës besimplotë e me shpejtësinë e duhur, pa u druajtur aspak nga hijet gjigante që shfaqen nga hiçi krejt pa pritur, pikërisht aty ku disa çaste më parë mund të ketë pasur një vijë të bardhë.
E kam thënë edhe më parë, që kam lindur në një qytet të mjegullt. Mendoj se nëse do t‘ua rrëfeja sot banorëve të tij të rinj, ata nuk do ta kuptonin se për cilin qytet e kisha fjalën. Drita e vret mjegullën dhe kjo më mirë se kudo duket në autostradën kur me t‘u afruar në një pikë karburanti të ndriçuar fort mjegulla davaritet për të zhdukur. Kështu sikur të shpenzoheshin më shumë para për ndriçimin e autostradave, ndoshta numri i të vdekurve në rrugë do të ulej ndjeshëm. Nuk e kam fjalën për ne veriorët që jemi mësuar tashmë me rrugë të tilla, por për sicilianët e ngratë, napoletanët e madje edhe lacialët që vdesin çdo vit pa marrë vesh gjë për mjegullën dhe bukurinë e saj të shurdhët. Drita e vret mjegullën dhe në qytete, ku vitrinat ndriçojnë edhe gjatë natës, ajo shpërbëhet dhe forca e saj dobësohet. Pikërisht ngrohtësia që vret mjegullën shkrin edhe akujt dhe me ndryshimet klimatike toka do ta ndiejë shumë jo vetëm mungesën e akujve, por edhe atë të mjegullës. Po le të rikthehemi në qytetin tim. Ai jo vetëm që ishte dhe është një qytet i mjegullt, por është një qytet me hapësira të mëdha boshe, që shndërrohen në vende të padurueshme gjatë muajve të nxehtë të verës. Por krejt befas, në disa net vjeshte apo dimri, kur qyteti zhytet në mjegull, boshllëqet zhduken dhe nga grija e qumësht shfaqen si nga hiçi objekte krejt të ndryshme si në një lojë formash të reja. Dhe qyteti im bëhet i bukur. Është një qytet identiteti i të cilit nuk shfaqet nën dritën e diellit, por nën padallueshmërinë e mjegullës. Në mjegull ecet ngadalë. Duhet të njohësh mirë shtigjet për të mos humbur udhën, por gjithsesi, sido që të ndodhë diku, dikur do të arrish gjithmonë. Mjegulla është e mirë dhe i shpërblen ata që e njohin dhe e duan. Të ecësh në mjegull është shumë më bukur se të ecësh në dëborë, sepse mjegulla nuk të konforton vetëm së poshtmi, por edhe nga lart dhe është e pashkatërrueshme, ndryshe nga dëbora që mund ta shprishësh me çizme. Mjegulla të rrëshqet dhe të mbulon me afeksion. Zhbëhet kur ti kalon dhe riformohet sërish me të njëjtën dendësi. Të mbush mushkëritë si të ishte një duhan i cilësisë së parë dhe, ka një aromë të fortë dhe të shëndetshme, të përkëdhel faqet dhe ndërfutet në qafë.
Por më të mirën e vetes mjegulla e ka dhënë gjithmonë në kohët e luftërave. Në mjegull je vetëm për vetëm me brendinë tënde. Për fat, nga anët e mia, kur nuk ka mjegull, veçanërisht mëngjeseve herët ka një lloj tymnaje të zbehtë që zbardh qiell e tokë. Është si një brymë që mbulon ç‘gjen përpara. Ndryshe nga mjegulla, depërtueshmëria e vështrimit është e dukshme, por peizazhi mbetet mjaftueshëm njëngjyrësh e gjithçka shfaqet përmes sfumaturave gri. Mjegulla të mbron dhe të realizon ëndrrat e pamundura të të qenit i padukshëm duke të dhuruar herë pas here lumturi. Përjeton ndjesinë se shpejt do të dalësh nga mburoja e saj për t‘u përballur me botën. Kur je në mjegull, pikërisht për shkak se nuk e di se ku je, tenton që të dalësh prej saj. Ata që janë brenda duan të dalin jashtë dhe anasjelltas.

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.