Pyetësori i Arratisjes: Përgjigjet Calliope Nastou

Calliope Nastou është një mësuese gjuhësh të huaja dhe përkthyese, pasioni për librat është një gjë që e ka ndjekur në gjithë rrugëtimin e saj personal dhe profesional. Ndaj këtë pasion vendosi ta ndajë në faqen e saj në instagram #themuseofbooks, ku shpërndan informacione apo edhe bën komente mbi librat.

  • Libri që po lexoni për momentin? Libri që po lexoj momentalisht është “Ferma e Kafshëve” nga George Orwell, që besoj se njihet nga të gjithë si një nga alegoritë më të mira politike të shekullit të XX. Besoj se pas një pandemie dhe luftës në Ukrainë, Orwell vjen më aktual se kurrë.
  • Libri që ju ka ndikuar më shumë? Pak e vështirë, të them të drejtën janë të shumtë librat që më kanë ndikuar, unë besoj si Cervantes, që dhe libri më i keq të mëson diçka. Por nëse më duhet të veçoj patjetër një libër do të thoja “I huaji” nga Camus.
  • Libri që është i mbivlerësuar/i nënvlerësuar? Nuk besoj se ka libra të mbivlerësuar ose të nënvlerësuar, mendoj që ka libra aktualë dhe joaktualë, libra që lidhen me një gjendje shpirtërore në një moment të caktuar dhe të tjerë që nuk të japin të njëjtin vibrim. Gjithsesi mendoj librat e Jane Austin janë jo shumë aktualë, ndërsa janë shumë shkrimtarë të tjerë të mirë si: Julien Gracq, Paul Auster, Marcel Schwob, Claudio Magris, Enrique Vila-Matas që janë shumë të mrekullueshëm, por fatkeqësisht janë të panjohur për lexuesin shqiptar, ndaj mund të them që janë të nënvlerësuar.
  • Libri që ju ka bërë të qani/qeshni? Ahhh… libri që më ka bërë të qaj/ të qesh pa dyshim “Don Kishoti” i Cervantes mi jep këto dy ndjesi në mënyrë të hatashme. Nëse është një libër që më ka bërë të vajtoj jo të qaj ngelet “Iliada” e Homerit me momentin e vdekjes së Hektorit, ku ndryshe nga rregullat e varrimit pellazg dhe grek kufoma e tij përdhoset. Është një moment ku Homeri vë në gojë e Hektorit të vdekur fjalët: “Pashë jetën tënde, t’lëshoj bè e t’lutem, / pashë këta gjunjë e prindët që të linden, / mos ma lër trupin pranë galeve akeje / ta coptojnë larot, por prano shpërblesat / që baba im e zonja nëna ime…”
  • Libri që e keni nisur dhe nuk e keni përfunduar? Rrallë herë më ka ndodhur të lë një libër papërfunduar, pasi jam lloji i lexuesit që i jap autorit një mundësi deri në fund për ta shfaqur veten, gjithsesi si shumë lexues dhe mua më ka ndodhur të lë libra pa lexuar, ai që kujtohet tani është “Agrixhento” nga Kostas Hatziantoniou, fitues i Çmimit Evropian për Letërsinë në 2011, ishte një rrëfim me shumë zëra, tejet i koklavitur dhe i lodhshëm, sikur po lexoje “Gjeografinë” e klasës së shtatë pasi kishte vetëm toponime, mu duk vetja si guidë turistike, ndaj ndalova leximin.
  • Libri i famshëm që nuk e keni lexuar? Ka plot libra të famshëm që nuk i kam lexuar si veprat e Charles Dickens ose “Lufta dhe paqja” nga Tolstoy, Uliksin e Joyce ose Jane Eyre e Charlotte Brontë, janë shumë por po ndalem me kaq.
  • Cili libër do ishte libri i jetës suaj? Libri i jetës time ngelet pa e menduar dy herë “Njëqind vjet vetmi” nga Gabriel Garcia Marquez, e kam lexuar kur kam qenë vocërrake e mbaj mend si tani, ditën kur zbulova “realizmin magjik” rrashë në vorbullën e kësaj rryme për të mos dalë më kurrë, dhe leximin e kam realizuar në mënyrën më të ngadaltë të mundshme për të mos humbur asnjë detaj. Pas këtij libri bota ime u hap “dykanatsh” për çdo libër tjetër.
  • Si ka nisur përvoja juaj me leximet? Kush ju nxiti? Në shtëpinë time askush nuk ka lexuar, kështu që përvojën e leximit nuk mund të them se e kam imituar nga familjarë madje as nuk më kanë inkurajuar, përkundrazi shpesh herë kam blerë libra fshehurazi nga frika se mos më bërtisnin. Me pak fjalë leximin e kam zhvilluar si ndjenjë proteste ose rebelimi për të krijuar identitetin tim, ndaj e kam të shenjtë dhe shumë personal.
  • Cilat janë përfitimet tuaja personale nga leximi i librave? Përfitimet që kam nga librat janë të shumta, nuk janë monetare dhe as nga ato me të cilat bëhen “business” por leximi më ka bërë njeri më të mirë, më empatik, më të ndjeshëm sot jam më e hapur për të pranuar dhimbjen, dashurinë, lumturinë, jetën, vdekjen dhe çdo gjë në saj të leximit.
  • Nëse do mund të takonit një shkrimtar, cili do ishte dhe pse? E bukur kjo, do preferoja mos ta takoja fare se më prishet pastaj gjithë magjia që kam në kokë, për mua shkrimtari/ja nuk është tokësor është Perëndi, ndaj preferoj ta imagjinoj si diçka unike dhe të pakapshme.
  • Shkrimtari i preferuar shqiptar? Për mua padyshim ngelet Kadare, ndonëse mendoj se letërsia para monizmit është më e mirë se ajo pas rënies së diktaturës. Kurse ndër poetët shqiptarë do të veçoja Lasgushin, jemi me fat që e kemi.
  • Si do ja sugjeronit dikujt të lexonte libra? Unë vetë s’para kam qejf të marr sugjerime mbi librat, pasi e di zhanrin që më pëlqen dhe zgjedh autorët që dua, ndaj dhe nuk dua të merrem me sugjerime, por faqja ime “The Muse of Book” mesa duket është bërë një burim nga i cili lexues të cilët kanë interes për një X libër mund ta lexojnë shkrimin tim mbi të, dhe sipas preferencave të zgjedhin ta lexojnë ose jo.
  • Nëse jeta juaj do ishte një libër, si do titullohej? Nëse jeta ime do të ishte një libër do të titullohej “Helioni, uji i ishullit Kos” nga Vassilis Vassilikos, don’t ask me more.

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.