Pyetësori i Arratisjes: Përgjigjet Akistula Pula

Akistula Pula është inxhinierja 25 vjeçare e apasionuar pas librave dhe letërsisë dhe krijuesja e blogut të librave BooKiss. Në blogun e saj, ku ajo shpreh këtë pasion, do të gjeni sugjerime nga zhanra të ndryshëm për secilin prej jush si dhe leksione, pasazhe dhe perspektiva nga libra të ndryshëm.

  • Libri që po lexoni për momentin? Momentalisht jam duke lexuar librin “Hija e erës” nga Carlos Ruiz Zafon, një libër që e sugjeroj shumë sidomos për stilin e autorit.
  • Libri që ju ka ndikuar më shumë? Nuk mund të them një libër specifik, mendoj se çdo libër që lexojmë ndryshon shumë ose pak tek secili prej nesh. Por mund të them që librat që kanë ndikuar më shumë në krijimin e botëkuptimit tim kanë qenë klasikët.
  • Libri që është i mbivlerësuar/i nënvlerësuar? Theksoj që kjo është shije personale. Mendoj që shumë libra të mbivlerësuar, po zgjedh të parin që më vjen në mendje “Zahiri” nga Paulo Coelho si libër i mbivlerësuar dhe “Rasti Aurora” si libër i nënvlerësuar.
  • Libri që ju ka bërë të qani/qeshni? Libri i fundit me të cilin kam qarë (sepse qaj shpesh) është “Zonja me Kamelie” nga Alexandre Dumas (i biri) dhe libri me të cilin kam qeshur “Vdekja aksidentale e një anarkisti” nga Dario Fo.
  • Libri që e keni nisur dhe nuk e keni përfunduar? Kam ende 20 libra që i kam në listën “duke lexuar” sepse jam lloji i lexueses që lexon disa libra njëkohësisht, por kam në plan t’i përfundoj të gjithë. Nuk më pëlqen të lë libra të papërfunduar.
  • Libri i famshëm që nuk e keni lexuar? Sërish ka shumë, po përmend disa: “Krim dhe Ndëshkim”, “Lufta dhe Paqja”, “Tre Shokët” etj.
  • Cili libër do ishte libri i jetës suaj? Deri në njëfarë moshe gjeta një ngjashmëri shumë të madhe të jetës sime në librin “Ti do të kthehesh”. Nuk e mbaj mend autorin sepse kam qenë adoleshente por ishte sikur dikush kishte shkruar për jetën time.
  • Si ka nisur përvoja juaj me leximet? Kush ju nxiti? I kam dashur librat qëkur mbaj mend. Njeriu që më bëri t’i dua është ime më e cila më blinte libra, m’i lexonte por më e rëndësishmja fëmijët mësojnë duke parë dhe unë e shihja gjithmonë duke lexuar.
  • Cilat janë përfitimet tuaja personale nga leximi i librave? I detyrohem shumë gjëra leximit por kryesorja është fitimi i empatisë.
  • Nëse do mund të takonit një shkrimtar, cili do ishte dhe pse? Jordan Peterson. Do më pëlqenin shumë bisedat me të.
  • Shkrimtari i preferuar shqiptar? Ka disa që më pëlqejnë por i preferuari im ngelet Migjeni.
  • Si do ja sugjeronit dikujt të lexonte libra? Unë përdor blogun tim për të sugjeruar libra, përpiqem gjithmonë të njoh pak personin para se të sugjeroj ose të tregoj karakteristika të librave që personi të zgjedh vet nëse ky libër është në natyrën e tij ose jo. Për persona që nuk e pëlqejnë leximin përpiqem të gjej diçka jo shumë angazhuese për ta dhe iu flas për benefitet e librave. Shpesh më ndodh që gjatë bisedave me dikë e kuptoj që ka nevojë për X libër (prej problemit me të cilin po përballet) dhe ja dhuroj.
  • Nëse jeta juaj do ishte një libër, si do titullohej? Rrugëtim drejt vetvetes – Akistula Pula.

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.