Pjesa e fundit nga romani “Mali magjik” – Tomas Mann

Ku jemi? Ç´është kjo? Ku na hodhi kështu ëndrra? Mugëtirë, shi dhe llucë, ngjyrime të purpurta të qiellit të zymtë, gjëmime të rënda që mbushin prore ajrin e lagësht të shqyer nga fërshëllima këngëzuese, nga ulërima të tërbuara dhe djallëzisht në rritje, të cilat duke flakur copëra, spërkama, kërcitje dhe flakë përfundojnë me rënkime, klithje, ushtima shurdhuese borish dhe daullesh, që sa vijnë e forcohen, sa vijnë e harbohen… Një pyll tej, që derdh jashtë lavë të pangjyrë ushtarësh që vrapojnë , rrëzohen, ngrihen… Një gjerdan kodrash më tej në sfondin e zjarreve të largët, palca e të cilëve ngjishet dhe lëshon herë pa here flakë valëvitëse. Përreth nesh arnaje të lëruara dallgëzuese, të rrëmuara, të sfilitura. Anës së pyllit një rrugë e pistë dhe e mbuluar me degë të thyera, një shteg po aq i rrëmuar dhe i copëtuar bën një hark për të shkuar drejt kodrinave tej, skelete pemësh, të zhveshura, degëthyera… Ja një tregues rruge… është e kotë të kërkosh ndihmën e tij: mugëtira nuk të lejon ta lexosh edhe në qoftë se ndonjë predhë nuk e ka shqyer zigzag. Lindje apo Perëndim? Jemi në rrafshinë, jemi në luftë! Jemi hije të trembura fantazmore në rrugë tek kërkojmë turpërisht një siguri po fantazmore dhe aspak të prirur për mburrje dhe rrëfenja gjahtarësh, por të hedhur këtu nga rrjedha e tregimit tonë, që midis atyre njerëzve të përhimët që vërshojnë nga pylli, herë duke vrapuar e herë duke u rrëzuar, të yshtur përpara nga
tamtamet e trompetave, të shohim një të njohurin tonë, bashkudhëtarin tonë të gjitha atyre viteve, mëkatarin shpirtmirë që ia dëgjuam zërin aq shpesh dhe t´ia vështrojmë edhe një herë atë fytyrën babaxhane, përpara se ta humbim përfundimisht nga sytë.

I kishin sjellë këtu këta ushtarë për të ndryshuar fatin e luftimeve që po zgjasnin tërë ditën dhe që kishin për qëllim rimarrjen e pozicioneve në kodrat tej dhe të fshatrave në flakë matanë tyre, që armiku i kishte pushtuar dy ditë më parë. Ishte një regjiment vullnetarësh, gjak i ri, më të shumtët studentë, të sapo ardhur në front. Të ngritur që me natë, kishin udhëtuar me tren deri në mëngjes, në këmbë mes shiut nëpër rrugë të tmerrshme, që nuk ishin rrugë, se ato ishin të mbushura, por arnaje dhe moçale, shtatë orë rresht, me kapotat plumb prej shiut, me pajisje të plotë luftarake në kurriz dhe kjo nuk ishte aspak shëtitje për tu kënaqur; ai që nuk donte të ndahej me çizmet duhej të përkulej thuajse në çdo hap dhe, duke i zënë çizmet pas qafës të tërhiqte këmbë e çizme bashkë nga llapërçira ngjitëse, dhe kështu u qe dashur një orë për të kaluar një lëndinë të vogël. Por së fundi ja tek janë, rinia e tyre i mposhti të gjitha, trupat e elektrizuar dhe tashmë të rraskapitur, por të mbajtur në këmbë nga rezervat jetësore thellë brenda tyre, nuk kërkonin gjumin e mohuar, nuk kërkonin ushqimin e padhënë. Fytyrat e tyre ta lagura, të spërkatura me baltë, të mbërthyera me rripat e helmetës së hirtë, shtyrë në
zverk, digjeshin flakë. Ata digjeshin nga tendosja dhe nga pamja e humbjeve që kishin pësuar gjatë marshimit nëpër pyllin moçalor. Sepse armiku, i informuar për lëvizjen e tyre, kishte hapur zjarr përmbi ta me shrapnelë dhe granata të kalibrit të madh, rrebeshi i kishte zënë në mes të pyllit, i kishte shkërmoqur formacionet e tyre dhe vazhdonte edhe tani të fshikullonte, të ulërinte dhe të mbillte flakë dhe vdekje mbi vijëmbrojtëset e tyre.

Ata duhej të çanin tej, këta tre mijë djelmosha të kapur nga ethet e betejës, me bajonetat e tyre ata do të shërbenin si përforcim i sulmit mbi llogoret para dhe prapa zinxhirit të kodrinave, mbi fshatrat në flakë dhe të ndihmonin që ai të arrinte deri në një pikë të caktuar, kështu thoshte urdhri që komandanti i tyre kishte në çantë. Ata ishin tri mijë që të mbeteshin të paktën dymijë kur të arrinin llogoret dhe fshatrat, ky ishte edhe kuptimi i efektivit të tyre numëror. Ata ishin një trupë e llogaritur që edhe pas humbjesh të rënda të ishin në gjendje të vepronin dhe të fitonin, në gjendje ende që ta përshëndesnin fitoren me urra njëmijëzërëshe, paçka se shumë do të kishin mbetur, do të kishin dalë jashtë radhëve. Dhe vërtet shumëkush kishte mbetur, kishte rënë gjatë atij marshimi të sforcuar për të cilin, me sa dukej, ai kishte qenë tepër i ri dhe tepër i brishtë. Në fillim ishte zbehur dhe i ishin marrë këmbët, kishte mbledhur forcat e fundit, por prapëse prapë kishte mbetur pas. Ishte zvarritur për një kohë përbri kolonës, kishte parë ta kalonin kompani pas kompanie dhe tek e fundit ishte vithisur në vend, dhe në një vend aspak të këndshëm. Dhe pastaj kishte ndodhur shpërthimi i pyllit. Mirëpo të shpëtuarit ishin gjithnjë shumë, një trupë trimijëkokëshe mund të durojë një humbje të madhe gjaku, edhe pas kësaj ajo do të jetë persëri një repart luftarak plot gjallëri. Ja, ata mbushin fushat e fshikulluara nga shiu, xhadenë, arnajat e përbaltura. Ne , hijet shikuese, ndodhemi shpejt midis tyre. Me duar të stërvitura ata mbërthejnë bajonetat në të dalë të pyllit, boria thërret thekshëm, trompeta trokëllin dhe rrapëllon sa shndërrohet në një gjëmim të thellë dhe ata sulen përpara, thërrasin me zëra të copëtuar, shkulin më vështirësi këmbët nga plisat ngjitës që nuk duan kurrsesi t´i lëshojnë çizmet e tyre.

Ata shtrihen përtokë kur mbi ta fluturojnë predhat ulëritëse, për tu ngritur dhe për të sulur përsëri përpara, me thirrma rinore nga gëzimi që nuk i preku ata. Por pastaj plumbi i kap, ata bien duke tundur krahët, të goditur në ballë, në zemër, në bark. Dhe ashtu me fytyrë në llucë, ata mbeten dhe nuk lëvizin më. Shtrirë, me çantat poshtë kurrizit, me zverkun të zhytur në baltë, me duart që rreken me ngërç të kapin ajrin përpara. Por pylli vjell të tjerë dhe ata përsëri hidhen përdhe, , ngrihen dhe me urra apo të heshtur e duke u penguar nëpër plisa, kalojnë përmes të rënëve.

Djelmëria me çantat në shpinë dhe bajonetat mbërthyer, me kapota dhe me çizme të përbaltura! Po ne mund të përfytyrojmë edhe një tablo tjetër, më humaniste dhe më të zbukuruar. Një tablo si kjo, fjala vjen: djem që shalojnë kuaj dhe lahen në një një gji deti, bredhin me të dashurën në plazh, duke i pëshpëritur butë në vesh vajzës së brishtë, apo duke u ndeshur miqësisht me tyre në gjuajtje me hark. Por në vend të kësaj ata rrinë shtrirë me hundën në baltën e përndezur. Që ata e bëjnë me gaz këtë, megjithë frikën e pakufishme dhe mallin e pashprehshëm për shtëpinë, është një akt i lartë por edhe i turpshëm njëherësh, sepse kjo nuk mund të jetë arsye për t´i vënë në atë gjendje.

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.