Mos lexo!

mos lexo suad arilla arratisje.al

Ty që po e lexon këtë status: Mos lexo libra! Jeta ka tjera angazhime. Kot që humbet kohën tënde të vyer të gjesh veten mes rreshtave, strofave, faqeve.

Mos lexo, mik!

 

Prindërit e tu s’të kanë thënë të lexosh në vazhdimësi, por të mësosh mësimet. Të marrësh një profesion dhe të jetosh një jetë të qetë. Duke u rritur, do kuptosh se trupit tënd i sëmbon një tingull rrjedhës, që nuk ia gjen dot burimin. Ai të tregon se diçka të mungon por askush s’të ka thënë si ka plotësosh.

 

Mos lexo, sepse në fakt jeta ka halle tjera. Puna e vonë, koha e pamjaftueshme, profesioni konsumues, martesa, fëmijët, e shumë rrangalla të përditshmërisë që të shtyjnë të shkosh në shtëpi, të ndezësh televizionin dhe të rrish i qëtë me shpirtin e fjetur.

 

Mos lexo, sepse njerëzit e famshëm, mediat, gazetat, çdo gjë që na përcillet si “fast food” nuk të bën të kuptosh se sa e rëndësishme është ta marrësh veten me të mirë dhe të “hash me lugë”.

 

Mos lexo, sepse edhe po lexove, të tjerët do të të tallin, do të ngacmojnë, do të bëjnë të ndihesh ndryshe. Por ti nuk do të jesh ndryshe në këtë botë konsumi “copy – paste”.

 

Ti hap fejsbukun, hap instagramin, gugëllon dhe gjithçka të çon drejt mosleximit; e, nëse ke gjetur ndonjë libër në shtëpi, e ke lexuar dhe ke thënë: Nuk lexoj më përralla.

 

Mos lexo, sepse tani edhe të nxisin të mos lexosh, të rrish i fshehur pas celularit tënd të zgjuar dhe të mendosh se kjo nuk është kohë e humbur.

 

Nëse lexon romane, poezi, tregime që futen thellë brenda teje, të shkërmoqin, t’i fshijnë pluhurat e shpirtit, të lodhin, ndoshta të bëjnë të qash apo edhe të meditosh intimisht me veten derisa të mos gjesh atë që kërkon; të luftosh për një qëllim apo një kuptim të qënies apo mosqënies – të jetës dhe brendësisht vdekjes, nuk do ishte një gjë e urtë. Kjo, si një varg dominosh, do të të detyronte or mik, të lexosh, të lexosh, të lexosh…

 

Ndaj mos lexo. Kjo botë nuk është e ëndërrimtarëve. Ti dëshiron të jetosh në zbehtësinë që ke zgjedhur. Pse t’i japësh jetës ngjyra?!

 

Suad Arilla

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.