Xheni Shehaj – Kronika e një breznie

(Analizë e veprës “Breznitë e Hankonatëve” të Ismail Kadaresë)

 

Vepra “Breznitë e Hankonatëve” është një rrëfim në vetë të tretë. Ajo vjen në formën e një kronike, kronikë e një familjeje së cilës nuk i njihet origjina. Janë vitet 1700. Shqipëria është nën sundimin otoman. Në Gjirokastër vjen një burrë që askush nuk e njeh e se di prej nga zbret. Ai quhet Basri Hankoni. Basriu fiton një gjyq kundër Jahja Toros, fiton Arën e Mullenjave përmes një betimi të rremë (bën këpucët me baltë e betohet se është balta e arës së tij) që bën përpara kadiut dhe përmbi Kuranin e Shenjtë. Fill pas fitimit të Arës së Mullenjave, Basriu nisi të shiste kripë për dy – tri vjet. Më pas bleu një pjesë shtëpie, e rregulloi dhe një mëngjes e gjithë familja e tij u gdhi në Gjirokastër. Me ardhjen e familjes Hankoni qyteti nisi të vëzhgonte mysafirët e paftuar.

Ngjarje të bujshme ndodhnin hera – herës dhe banorët e qytetit të gurtë i komentonin lart e poshtë. Por kur mungonin ndodhitë, aherë njerëzia zinin e merreshin me sho – shoqin. Kadareja ka përshkruar imtësisht qytetin dhe banorët e tij. Vepra është e pasur me doke, zakone, fjalë të urta, besëtytni. Folklori por dhe leksiku i përdorur janë tregues të veçantë që e konturojnë veprën mjaft bukur. Rrëfimtari na fut brenda shtëpisë së Hankonatëve e na njeh me çdo anëtar të familjes. Lexuesi njihet edhe me banorët e qytetit, mentalitetin, thashethemet, skepticizmin e tyre kundrejt të ardhurve. Me nguljen e Hankonëve në qytet, vendasit përveç kuriozitetit për të parë e hulumtuar se ç’njerëz ishin, kishin dhe një lloj mospranimi të menjëhershëm.

1.Mospranimi i të ardhurve

Në vepër del jo rrallë herë mospranimi i të ardhurve nga vendasit. Vihet re një soj ngurrimi, hezitimi, ngadalësie në të pranuarit e asaj familjeje të ardhur prej askundit.
“Në të vërtetë, askush nuk e dinte se nga erdhi në qytetin e Gjirokastrës Basri Hankoni. Një mbiemër i tillë s’qe dëgjuar kurrë më parë këtu”.
“Familjet e vjetra të Gjirokastrës i shikonin me mosbesim këta të ardhur, që nguteshin për çdo gjë. S’ishin mësuar kurrsesi me këtë ngut”.
“Siç ndodhte përherë me të ardhurit, vdekja ishte ajo që i afronte shkallë – shkallë me vendasit e mirëfilltë”.

Në të tri shembuj e sjellë më sipër vërehet mosbesimi i vendasve ndaj të ardhurve. Por në secilin nga rastet zanafilla e këtij mosbesimi është e ndryshme. Në rastin e parë ngurrimi, stepja e gjirokastritëve lidhet me mosnjohjen, mosditjen. Ata se dinë me kë kanë të bëjnë. Mbiemri i ardhacakëve nuk u thotë gjë.

Në rastin e dytë mosbesimi lidhet me çështje zakonore, punë përditshmërie. Të qetë e pa ngut, vendasit se kuptojnë e për pasojë se pranojnë ngutin e Hankonëve në të bërit e gjërave.
Rasti i fundit të krijon përshtypjen e zotërve të vendit. Vdekja ndodhi në “shtëpinë tonë”, neve na takon të bëjmë respektin. E duke i “sajdisur” vdekja, Hankonët fituan të drejtën të quheshin vendas, dhe mbiemri iu kthye në Hankonatë. Gjindja u mësua me praninë e tyre, me ekzistencën, me ngutjen e punën.

Siç dhe e përmendëm më lart vepra bart një dozë të mirë folklori. Pas pikës së parë që lidhej me mospranimin e menjëhershëm të të ardhurve prej vendasve, në pikën e dytë do paraqiten elementet folklorikë si: fjalët e urta, zakonet, besëtytnitë.

2. Elementet folklorike

Folklori ynë është tejet i pasur e i larmishëm. Mençuria e popullit është derdhur në fjalët e urta, doket, gjëzat, përrallat, etj. Tek “Breznitë e Hankonatëve” nuk mungon elementi folklorik. I veshur me rrobën e folklorit vepra sjell te lexuesi një ndjesi të këndshme. Lexuesi njihet me urtësinë e popullit, që në vepër përçohet përmes fjalëve të urta;
a) Bushtra që ngutet, pjell këlyshë të verbër.
b) Gruaja e ve, si nata në shëndré.
c) Binte miu e thyente kokën.
d) Pikë e strehës, mortje e derës.
zakoneve;
a) flijimi i një kafshe në themelet e shtëpisë është ndër zakonet më të vjetra e trashëguar deri në ditët tona. Basri Hankoni tek hedh themelet e shtëpisë së re ther një dash të zi me dy palë brirë.
b) ndezja e zjarrit të parë; tymi i parë duket sikur jepte sinjalin se shtëpia ishte funksionale tashmë.
c) miqtë e parë, “një natë erdhën bujtësit e parë”; ardhja e miqve të parë e bën shtëpinë të quhet shtëpi buke, mikpritëse. Mikpritja është ndër zakonet tona më të njohura.
ç) mbushja e sternës me ujë shiu të qetë e të shtruar në mënyrë që jetesa e familjes të rridhte qetë e pa telashe.
d) mjekimet popullore, çmësyshjet janë zakone që shqiptarët i praktikojnë ende (megjithëse në vepër del dhe prania e doktorit, por ky zë vend dytësor, atë që se shërojnë dot kurat popullore, plakat gjysëm magjistrica, e merr në dorë doktori i mirëfilltë).
e) vajtojcat, vajtuese me pagesë. Tek ne është zakon që i vdekuri vajtohet. Në veri me gjamë, në jug me ligje.Vajtojcat ia numërojnë me ligje cilësitë e të mirat të vdekurit.
f) vendosja e emrave; “Sipas zakonit të shtëpive të vjetra gjirokastrite, Hankonatët u vinin një pjese të fëmijëve emrat e stërgjyshërve e të gjyshërve”.

besëtytënive;
a) zënia e hënës; në libër hënaku, djali që paguhej për përgjimin e hënës u hoq nga puna sepse e zuri gjumi ndërkohë që hëna u zu e ai s’mundi të jepte kushtrimin. Falë një plake të pagjumë njerëzit dolën me lutje e lodra dhe zbuan qoftëlargun e liruan hënën. Nëse s’do kishin liruar hënën gjindja besonte se mund të ndodhte ndonjë gjëmë.
b) dalja e minjve dhe akrepave nga themelet e shtëpisë; Për Basri Hankonin kjo kishte domethënie, ai mendonte se nga themelet po dilte e keqja dhe vetëm pasi nuk dolën më ai nisi punimet.
c) besimi tek ndërtesat, tek teqetë më konkretisht; një nga nuset nuk lindte fëmijë, “që të pillte, e çuan të flinte në teqenë e Beunit për katër net rresht”.
Elementi folklorik përmblidhet pak a shumë në gjithë sa u tha. Një tjetër tematikë që zgjon interes në vepër është martesa mes kushërinjve të parë.
“Martesat midis kushërinjve të parë, për shkak të moscopëtimit të pasurisë, nuk ishin të pazakonshme në Gjirokastër”.

Dhe në libër përmendet një martesë e tillë. Nga bashkimi i kushërinjve lind një djalë gjysmak. Lindja e djalit ngërthen të vjetrën me të renë. Fëmija nuk fliste dhe familjarët u turrën së pari drejt metodave të diktuara nga zakonet: “I prenë copa letrash me gërshërë përpara gojës, shuan qymyr në gotë uji, e çuan në teqenë e Baba Aliut, në Shpellën e Xhindeve të Mira, te plaka Hatixhe…”.
Pasi provuan gjithë sa dinin e nuk doli gjë, e çuan nëpër doktorë. Prej tyre morën përgjigjen përfundimtare: “djali kishte lindur me cen për shkak të martesës brenda fisit apo flligështisë në gjak”.
Një tjetër veçori e veprës ka të bëjë me sëmundjet që prekin Hankonatët. Një pjesë e tyre vdes nga mosha e thyer, dikujt i bie pika, dikush vuan nga skleroza, një nga nuset vdes nga kanceri i gjirit, një plagoset në dasëm e vdes më vonë. Mbishkrimet në varret e disa prej Hankonatëve janë mjaft domethënëse.

Autori ka përdorur përsëritjen duke e lidhur kështu veprën me dy prej romaneve të tij; “Pallati i ëndrrave” dhe “Kronikë në gur”. Me “Pallatin e ëndrrave” ura lidhëse është interpretimi i një ëndrre që sheh një prej Hankonatëve e që shpëton perandorinë prej një komploti. Sulltani e bën nëpunës Hankonatin e ri si shpërblim për zbulimin e komplotit.

Në libër përsëriten episode të ngjashme me ato tek “Kronikë në gur”. Për shembull, mbytja e Roksanës me juk për shkak se kishte humbur nderin me një prej muratorëve që rregullonin shtëpinë. Ky episod përmendet dhe te “Kronikë në gur”, mbytja e vajzës nderhumbur, kënga që i ngriti i dashuri më vonë, njësoj si kënga që thuri muratori (të paktën kështu flitej nëpër qytet, se këngën e kish bërë muratori); kafetë e pasdites, dylbitë, rrobat e zeza janë elemente që hasen si tek “Kronikë në gur” edhe te “Breznitë e Hankonatëve”.

Kadareja lokalizon vendin në vepër, flet kryekëput për Gjirokastrën, për banorët, zakonet e ngjarjet që ndodhin në qytet por përmend edhe ndodhi që vijnë nga skajet më të largëta të perandorisë por që lidhen ngushtë me qytetin ose me ndonjë banor të tijin. Risitë nuk mbeten pas në libër. Dhënia e shtëpisë me qera apo paratë me fajde janë vepër e Hankonatëve. Autori ua jep atyre autorësinë. Në fakt ajo që nuk duhet lënë pa përmendur është se familja e Hankonatëve, brez pas brezi ishin punëtorë të pashoq. E nisën me tregtinë e kripës, vijuan me vajgurin, punonin Arën e Mullenjave, u punësua një prej tyre si nëpunës dhe merrte rrogë e kështu me radhë. Në asnjë moment ata nuk qëndruan pa punuar. Nga fisi i tyre doli një gjeni matematike, i cili e shkoi jetën duke shkruar një testament. Ai vdiq papritur pak kohë para mbarimit të shekullit, si për të treguar se me ardhjen e shekullit të ri, do ndryshonin shumë gjëra për Hankonatët. Testamenti që la i dhuronte pronat, pasurinë e fisit, gjithçka me kushtin që në të hyrë të qytetit të ngrihej një bujtinë që do shërbente falas për cilindo njeri që do rastiste asaj rruge. U hap gjyq dhe pas shumë kohësh testamenti u hodh poshtë. Hankonatët arritën të mbanin pasuritë e tyre duke e nxjerrë testamentshkruesin të çmendur. Mesa duket njerëzit e këtij fisi nuk shkonin dot përtej të qenit të zakonshëm. Kjo vërtetohet edhe me rastin e dy personazheve të tjerë në vepër, Haxhi Bardhushit i cili shkoi për haxhillëk në Mekë e kur u kthye kishte ndryshuar dhe familja se kuptonte e ia vinte fajin udhëtimit shpirtëror që ai kishte ndërmarrë; si dhe personazhit të Ebubeqirit, i cili studioi në Stamboll dhe kur u kthye askush se kuptonte.

Në përfundim të analizës ajo çka mund të themi është se novela “Breznitë e Hankonatëve” zë një vend të rëndësishëm në krijimtarinë e autorit. Një gur i çmuar në mozaikun kadareian, ja se ç’është.

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.