Immanuel Kant – Mbi të bukurën e të madhërishmen

Tek femra është e lindur ndjenja më e fuqishme për gjithçka që është e bukur, e hijshme dhe e pispillosur. Që në fëmijëri atyre u pëlqen të rregullohen dhe i pëlqejnë vetvetes kur stolisen. Janë të pastra dhe shumë të ndjeshme ndaj çdo gjëje të neveritshme. U pëlqen mahia dhe mund të argëtohen edhe me imtësira, vetëm në qoftë se janë të kthjellëta dhe të lehta. Shumë herët fitojnë ndjenjën e masës në sjellje, dinë të jenë elegante dhe ta zotërojnë veten, e të gjitha këto në moshën kur rinia jonë mashkullore e edukuar bukur ende është e shfrenuar,e ngathët dhe e hutuar. Ato e kanë të zhvilluar ndjenjën e dhembjes, janë zemërbuta dhe të prekshme, të bukurës i japin përparësi mbi të dobishmen dhe më me dëshirë do të heqin dorë nga bollëku i mjeteve për jetesë që të kursejnë për t’i shtuar shpenzimet për zbukurime dhe shkëlqim. Janë shumë të ndjeshme edhe ndaj fyerjeve më të vogla dhe e kanë shumë të zhvilluar deri në hollësitë ekstreme që ta vërejnë edhe mungesën më të vogël të kujdesit dhe të respektit të tyre. Shkurt, ato përmbajnë në vetvete atë që është themelore në natyrën njerëzore me të cilën ndryshojnë cilësitë e bukura nga ato fisnike dhe ato e zbukurojnë edhe vetë gjininë mashkullore.

Shpresoj se askush nuk do të kërkojë nga unë që t’i numërojë cilësitë e meshkujve që me rend do t’u përgjigjeshin këtyre më sipër; mjafton t’i vështrojmë vetëm për aq sa janë të kundërta njëra me tjetrën. Gjinia e bukur ka gjithashtu mendje sikurse gjinia mashkullore, vetëm që kjo është mendje e bukur, kurse arsyen tonë mund ta quajmë mendje të thellë, e kjo do të thotë njësoj sikurse edhe e madhërishme.

 

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.