Axha Shtjefen

Tek shkon duke pufkatur llullën e tij të vjetër seç ka diçka që të bën të sjellësh në mendjen lokomotivat e dikurshme me avull. Ndoshta nga zytmësia  e fytyrës, ndoshta kolla e tij e rëndë, a ndoshta, ngaqë kalon gjithmonë në të njëjtën rrugë, në të njëjtën kohë, a ndoshta të gjitha së bashku të krijojnë një përngjashmëri të tillë. Çdo ditë, kur dielli kthen tëposhtë, axha Shtjefen del nga shtëpia, mbështetur mbi bastun dhe mësyn nga lidhavet plot kallamishte që shtrihen përgjatë bregut të liqenit. Rrallë i rastis të shkëmbejë fjalë me njëri.  Kockat e tij të drobitura hedhin hapa të avashtë. Tek Lisi i djegur (deri aty e ka stacionin) këmishën e ka të qullur në djersë. Djersët i sjellin ndërmend atë që ka menduar së fundmi, përherë e më shpesh; njeriu vërtet është ndërtuar nga balta. Madje, ai është i bindur se njeriu është ndërtuar nga plehu. Së brendëshmi, është i gjithi pleh, gjë të cilën gjatë gjithë jetës mundohet t’a fshehë. Në mendje i vijnë solucionet larëse, pastat e dhëmbëve, anti-djersët, dentistët,  kirurgët, a nuk mundohen të gjithë të pastrojnë njeriun nga balta e tij? Të gjitha këto thjeshtë e shtyjnë kthimin e tij në baltë, por nuk e shmangin dot. Dhe pastaj, vjen një moshë, (simosha e tij) kur asnjë dhe asgjë nuk hynë më në punë. Lëkura, kockat, cdo gjë kthehet në baltë. Atëherë njëriu ligështohet, përhumbet dhe ndjehet mirënjohës për aq kohë sa i lejohet të shikoje zhytjet e djellit në liqen.  Iku edhe një ditë tjetër mendon, dhe i derdhen sytë tek shikon erën që trazon kallamët e thara. Në mendje i vjen fëmijëria, fëmijët e tij të merguar, vetmia e përbotshme e ditëve të tij mjeranë. Ditët e tij të ngrëna. A ndoshta, ditët e tij të thara e të pangrena, si bari i këtyre livadheve. Si mendon këto,  sërisht sheh tokën. Toka ime, përshpërit, unë i juaji. Po po, unë jam i gjithi bir i juaji. Këtë mund ta shpjegojnë më mire biologët. Por unë jam i juaji. Tani e kuptoj sesi Zoti, Hyji më krijoi nga baltrat tuaja, që bënë grurë, për prindërit e mi. Baltrat tuaja u dhanë bare dhenve të cilat e kthyen në qumësht.  Pastaj, qumështi, mishi i dhënëve, gruri, u kthyen në energji për muskujt e prindërve, në ushqim për stomakun, dhe sigurisht edhe në spermatozoidë për testikujt e tim eti.  Jo më kot quhet mëmëdhe, mendon. Sigurisht, ndryshe nuk do të derdhej aq gjak vetem për tokën. Hija e natës zgjatet si një mantel gjikand, i pafundmë. Axha Shtjefen merr bastunin dhe, si gjithmonë, me hap të drobitur, nis rrugën e kthimit,. Si një tren me avull: vajtje-ardhje.  Fushat, përherë e më shumë i duken më të mëdha. Vapa e mungesa e shiu, i ka bërë të ngjajnë si stof i harruar gjatë në diell. Në mes të livadhit, nganjë vrimë si një monedhë e zezë shikon një fole grerëzash. Në grygë të çerdhës së grerëzave vetitet vetëm një  i tillë. Si duket, ai është roja që ka turnin. Shikon rreth e qark. Disa metra më larg gjen gurin e duhur. Në formë rrase, tre-katër kile i rëndë, guri puthitet mire në grykën e çerdhës. Krijesë idiote mendon, merr bastunin që kishte hedhur në tokë para se të merrte gurin edhe niset. Dreqin, po ata të gjorët ç’më bënë? Merr me mend përpjekjen e tyre për ajër dhe dridhet. Varrosur për së gjalli. A nuk ishte kjo gjëja që i tmerrohej më së terpërmi? Kthehet. Shtyn gurin me këmbë dhe mundohet te largohet me vrap. Grerëzat dalin të alarmuara për vdekje. Ata  nuk kanë asnjë grime mëshirë për lëkurën e rrëshkët. Axha Shtjefen mundohet të mbrohet, por grerëzat janë me dhjetra, ndoshta me qindra. Mundohet të ikë, por takati e ka lënë. Vetë e lype, vetë e gjete, thotë, dhe mallkon ato krijesa irrituese që s’i hyjnë në punë as dreqit.

 

***
Axha Shtjefën doli në Televizor.“Gjendet kufoma e   buçatur e një të moshuari, raportonin gazetarët. Nuk dihen akoma rrethanat e vdekjes. Organet kopetente po punojnë për zbardhjën e plotë të ngjarjes “Kaq thuhej për vdjekjen e axhës Shtjefen. Askush nuk e pa të rendësishme të thoshte se ai u gjet në kohën kur djelli po zhytej në liqen, dhe një aromë kutërbuese të shponte hundët. Aromë që vuloste pushtetin e baltës tek axha Shtjefën.

Behar Jacaj

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.