Albert Kamy – Njeriu absurd

“Fusha ime, thotë Gëtja, është koha”. Ja kjo është fjala absurde. Po çfarë është, në fakt, njeriu absurd? Ai që, pa e mohuar, nuk bën asgjë për përjetësinë. Jo se nostalgjia është e huaj për të. Por paraplqen guximin dhe arsyetimin e vet. Guximi e mëson të jetojë pa ndihmë e të mjaftohet me ato që ka, arsyetimi e ndihmon të njohë kufijtë e tij. I siguruar për lirinë e tij të kufizuar, për revoltën pa të ardhme dhe për ndërgjegjen e tij të asgjësueshme, ai vazhdon aventurën e tij në rrjedhën e jetës. Aty është fusha e tij, aty është veprimi i tij që e përjashton nga çdo gjykim, përveç të vetit. Një jetë më e gjatë nuk do të thotë për atë një jetë tjetër. Kjo do të ishte e pandershme. Këtu, as po flas për atëpërjetësi qesharake që quhet e ardhmja. Zonja Rolan i besonte. Kjo pakujdesi u ndëshkua. Brezat e ardhshëm citojnë shpesh këtë fjalë, por harrojnë ta vlerësojnë. Zonia Rolan nuk interesohet për të ardhmen.

Nuk shtrohet problemi të diskutojmë për moralin. Kam parë njerëz të veprojnë keq me shumë moral dhe vërej çdo ditë se ndershmëria nuk ka nevojë për rregulla. Ekziston vetëm një moral që njeriu absurd mund të pranojë, atë që nuk e largon nga Zoti: ai që të imponohet. Por ai jeton pikërisht jashtë këtij Zoti. Përsa u përket moraleve të tjera (përfshirë edhe imoralizmin), njeriut absurd i duken si justifikime dhe ai nuk ka çfarë të justifikojë. Këtu nisem nga parimi i pafajësisë së tij.

Kjo pafajësi është e friksmne. “Gjithçka është e lejueshme” bërtet Ivan Karamazovi. Kjo gjë përmban absurditetin e vet. Por me kusht që të mos e kuptojmë në mënyrë vulgare. Nuk e di nëse është vënë re mirë: nuk bëhet fjalë për një klithmë çliruese e gëzimi, por për një konstatim të hidhur. Siguria e një zoti që do t’i jepte kuptim jetës, tejkalon shumë për nga forca tërheqëse pushtetin e pandëshkuar të të bërit keq.

Zgjedhja nuk do të ishte e vështirë. Por nuk ka zgjedhje dhe atëherë fillon hidhërimi. Absurdi nuk çliron, ai bashkon. Ai nuk përligj të gjitha aktet. Gjithçka lejohet nuk do të thotë “asgjë nuk është e ndaluar”. Absurdi vetëm se u kthen barasvlerën rrjedhojave të akteve të veta. Ai nuk rekomandon krimin, kjo do të ishte foshnjarake, por ai pranon padobinë e brejtjes së ndërgjegjes. Po ashtu, nëse të gjitha përvojat janë të ngjashme, ajo e detyrës është po aq e përligjur sa edhe të tjerat. Mund të jesh i virtytshëm për kapriçio.

Të gjitha moralet bazohen në idenë që një akt ka rrjedhoja, të cilat e përligjin ose e asgjësojnë. Një mendje e përshkuar nga absurdi gjykon vetëm se këto rrjedhoja duhet të analizohen me qartësi. Ajo është e gatshme të paguajë. Me fjalë të tjera, nëse, për atë, mund të ketë përgjegjës, nuk ka fajtorë. E shumta, do të pranojë të përdorë përvojën e shkuar për të mbështetur aktet e tij të ardhshme. Koha do t’i japë jetë kohës dhe jeta do t’i shërbejë jetës. Në këtë fushë, një herësh të kufizuar dhe plot me mundësira, gjithçka në vetvete jashtë qartësisë së saj, i duket e paparashikueshme. Çfarë rregulli mund të nxirrej, pra, nga ky rend i paarsyeshëm? E vetmja e vërtetë që mund të dukej bindëse nuk është aspak formale: ajo gjallërohet e zhvillohet brenda njerëzve. Pra, nuk janë rregulla etike që mendja absurde mund t’i kërkojë nëpërmjet arsyetimit të vet, por ilustrime dhe fryma e jetëve njerëzore.Ato pak figura që vijojnë janë të tilla. Ato ndjekin arsyetimin absurd duke i dhënë ngrohtësinë e tyre dhe duke i imponuar qëndrimin që duhet të mbajë.

A është e nevojshme të shtjellojmë idenë që një shembull nuk është detyrimisht një shembull që duhet ndjekur (edhe më pak nëse kjo gjë ndodh në botën absurde) dhe që këto ilustrime nuk janë, megjithatë modele? Përveç prirjes që është e nevojshme, bëhesh qesharak, duke respektuar shkallëzimet, nëse arrin në përfundimin që Rusoi kërkon nga njerëzit të ecin me këmbë e me duar si kafshët ose që Niçja këshillon të keqtrajtojmë nënat tona. “Duhet të jesh absurd, shkruan një autor bashkëkohor, nuk duhet të jesh i mashtruar”. Qëndrimet, për të cilat do të bëhet fjalë e marrin kuptimin e tyre të plotë vetëm po të mbahen parasysh të kundërtat e tyre. Një punonjës i thjeshtë çfarëdo është i barabartë me një ngadhënjimtar, nëse ndërgjegjja e tyre është e përbashkët. Të gjitha përvojat, në këtë pikëpamje, janë të njëjta. Ka nga ato që i shërbejnë ose jo njeriut. Ato i shërbejnë po të jetë i ndërgjegjshëm. Përndryshe, kjo gjë nuk ka rëndësi: Dështimet e një njeriu nuk ndihmojnë për të gjykuar rrethanat, por atë vetë.

Unë zgjodha vetëm njerëz, të cilët synojnë të vetëmohohen ose për të cilët kam bindjen se vetëmohohen. Kjo nuk na çon më larg. Për çastin, duhet të flas për një botë ku mendimet ashtu si jetët janë privuar nga e ardhmja. Gjithçka që e vë në lëvizje dhe në punë njeriun përdor shpresën. I vetmi mendim që nuk është mashtrues është, pra, mendimi shterpë. Në një botë absurde, vlera e një nocioni ose e një jete matet me shterpësinë e saj.

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.