A ndihmojnë kujtimet rinore për ta thyer ca monotoninë e ditëve pleqërishte? – Xheni Shehaj

Analizë letrare për romanin “Bukuroshet e fjetura” të nobelistit Jasunari Kavabata.

Kur merr të lexosh Kavabatën futesh në një botë të panjohur e tejet të largët. Me një stil të ngjeshur, simbolika të forta, mesazhe të pafundme dhe mundësi përsiatjeje, Kavabata e çliron lexuesin nga komplekset dhe e nis drejt një bote intriguese e mistike. A keni menduar ndonjëherë se si është të flesh përkrah një vajze që bën gjumë të thellë dhe as që e ndjen praninë tuaj? Një vajzë e zhytur në një gjumë vdekjeje dhe një plak që rreket të “shfrytëzojë” rininë e saj. A mundet një lakore shpine, një kurm erëkëndshëm, dy gjinj të fortë e të rrumbullakosur të të zgjojnë ndjenjat më të ëmbla? A mund të blehet rinia? A ndihmojnë kujtimet rinore për ta thyer ca monotoninë e ditëve pleqërishte? Apo më shumë bëjnë dëm duke sjellë në vëmendje një kohë të humbur tashmë? Një kohë që nuk mund të kthehet kurrsesi, as nga qëndrimi krah për krah me një vajzë që ka rini me tepri.

Vepra “Bukuroshet e fjetura” ka në qendër të saj një subjekt disi të pazakontë: një shtëpi misterioze, në të cilën “shërbejnë” vajza të reja, bukuroshe të virgjëra. Vajzat drogohen me ilaçe gjumi dhe gjatë natës pranë tyre flenë pleq të ronitur, të cilët mundohen të thithin pak rini. Një prej këtyre është dhe Eguti, 67 vjeçar, i cili ka mësuar për ekzistencën e këtij shërbimi përmes një mikut të tij. Herën e parë që ai shkel në atë vend, e pret zonja e shtëpisë, e cila nuk ngurron t’i përmendë rregullat që duhen të zbatojë klienti si dhe detyrat që ka shtëpia ndaj klientit. Ai s’duhet të bëjë shumë pyetje, nuk duhet të tentojë të zgjojë vajzën (edhe pse kjo është e pamundur, pasi vajzat marrin aq dozë të fortë e të përllogaritur sa nuk zgjohen veçse kur u vjen orari). Nga ana e saj shtëpia nuk ia lakon emrin klientit për asnjë arsye, gjithçka mbetet e fshehtë.

Kavabata është mjeshtër i simboleve dhe nuk mënon ta tregojë edhe në këtë vepër.
Simbolikat
– piktura – pasqyrë në hyrje të dhomës paraqet një vis të ngrohtë malor me gjethe panje të kuqërreme; në këtë rast visi i ngrohtë simbolizon shtëpinë mikpritëse, mali/malorja është simbol i pamundësisë së arritjes së klientëve (për shkak të moshës) rininën e vajzave, ndërsa gjethet e panjës janë bukuroshet e fjetura.
– deti, uturima e dallgëve është e pranishme vazhdimisht në vepër; është simbol i trazimit shpirtëror të Egutit. I plakur, me një mori kujtimesh, me pengje, mall e dashuri, kurioz për eksperiencën e re plaku Egut gjatë gjithë kohës ka një gjendje të trazuar shpirtërore.
– drurët e lartë, si panja, pishat simbolizojnë herë siguri, herë mosarritje për shkak të lartësisë, të diferencës moshore.
– fluturat e bardha të dëborës që vallëzojnë janë simbol i virgjëreshave të fjetura.

Autori ka bërë një ndarje të interesante të veprës. Ai e dërgon personazhin pesë herë në shtëpinë e bukurosheve të fjetura. Të pesta herët e stis në atë mënyrë që Egutit duke përkëdhelur herë gjinjtë, herë supet, buzët, a shpinën e vajzës që i fle përkrah, t’i kujtohen episode nga jeta e tij e mëparshme. Vajza e parë i ndërmend atij aromën e qumështit të gjirit. Kjo e çon plakun në një histori me një dashnore të tijën. Ai para se të shkonte në takim me të, kishte mbajtur në krah bijën e tij qumështore. Dashnorja ndjeu kundërmimin e erës së qumështit dhe e quajti të tmerrshme faktin që para se të shkonte tek ajo, ai kishte lozur me të bijën. U ndanë.
Në vizitën e dytë Egutit teksa është shtrirë përkrah një tjetër bukurosheje, aroma e kurmit të saj i sjell në mend dasmat e dy bijave të mëdha. Para dasmave ai kishte shkuar me to në një tempull të mbushur me kamelie të rëna.
Vizita e tretë e gjen Egutin të shtrirë mes dy vajzave, një qumështoreje 16 vjeçare, “nxënëse” dhe një tjetre më të madhe. Teksa rri e sheh dhe ngacmon me duar gjinjtë e vogëlushes, plakut i ndërmenden dy episode, një dashnore në Kobe, dhe një prostitutë minorene, 14 vjeçe.
Në vizitën e katërt piktura në dhomë ka ndryshuar. Tashmë vendin e një visi të ngrohtë e zë një peisazh dimëror si për të lajmëruar fundin… Eguti ka nisur të shfaqë nervozizëm dhe ligësi. Kërkon prej zonjës së shtëpisë të dijë më shumë, të zgjojë vajzat medoemos.
Vizita e fundit e Egutit përkon me vdekjen e një drejtori që frekuentonte shtëpinë. Ai kishte pësuar infarkt gjatë natës. Natyrisht që vajza e cila e shoqëronte duke qenë në gjumë të thellë as që e dinte se ç’kishte ndodhur. Drejtorin e kishin nxjerrë nga shtëpia fshehurazi dhe e kishin dërguar në një hotel llixhe në mënyrë që shtëpia dhe klientët e saj të mos dëmtoheshin. Eguti atë natë fle me dy vajza, një bardhoshe dhe një zeshkane e cila nuk ishte japoneze. I kujtohet nëna, vdekja e saj nga tuberkulozi. Po ashtu i kujtohet dhe puthja me një vajzë para dyzet vitesh.
Eguti pas vdekjes së drejtorit plak në atë shtëpi, përjeton vdekjen e njërës prej vajzave që ndodhet në shtrat me të. I frikësuar, duke u dridhur pa ndalim ai njofton padronen e shtëpisë. Ajo e siguron se emri i tij nuk do përmendet gjëkundi, ndaj ai duhet të qetësohet. Vajzën e nxjerrin nga dhoma zvarrë dhe më pas ai dëgjon një makinë që largohet.

“Mos po e shpinin edhe atë në atë hotel të dyshimtë llixhe, ku degdisën edhe kufomën e plakut Fukara?…”.

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.