3 poezi nga poetë të mëdhenj!

Martesa – Hainrih Heine

Nuk vete pa ty, Thesari im,
Po eja me mua
Në qelinë e dashur, të llahtarshme,
Ku nëna ime rri kërrusur me vaj,
Dhe pret të kthehet djali i saj.

“Më ler të qetë njeri i murrmë!”
Ty kush të thërriti?
Ke dorën akull dhe frymën zjarr,
Ke faqe të bardhë, sy shkëlqimtar;
Po unë dua gas e dëfrim
Me duf trëndafili, me diell e shkëlqim.

Pa lërë diell e trëndafilë,
Moj vashë e ëmbel!
Hidh cipën e bardhë e të gjerë me valë,
Ja prek violinës telat ngadalë
Këndo një këngë për nusëri,
Të thotë erë e natës një melodi.

 

 

 

Endrra – Pushkin

Fytyrën tënde ëngjëllore,
Përsëri po e kujtoj!
Me ndjenja të pastra fëmijërore,
Me vuajtje, ndrojtje dashurore,
O zemër prapë me ty jetoj.

Ikën ditët pa u ndjerë,
Ndryshuam krejt ne të dy.
Po zemra ime si përherë,
Jehon e rreh me mall për ty.

Prano dhe ti e largët mike,
Dëshirën e zjarrtë të zemrës sime.
Atë dëshirë që kur m’ike,
E mbaj në shpirt me përgjërime,
Përkundur shpesh në ëndërrime.

U shuan ëndrrat dhe çdo gjë,
Që desha fort në këtë jetë
Vuajtjet e mia një nga një,
E mbushën plot zemrën e shkretë.

Nga shqot’ e fatit tim të zi,
U vyshkën lulet në kurorë.
Jetoj i zhytur në vetmi
Dhe pres të vijë e fundit orë.

Ashtu si gjethja që s’ka fat,
E mbetur vetëm në degë-hije
Ashtu edhe zemra ime e ngratë
Jeton me dridhma ftohtësie.

Nëse jeta të zhgënjen,
Kokën mos ul, mos u trishto!
Se drit’ e diellit prapë vjen
Dhe do na ndrijë ne kudo.

Zemra të ardhmen po kërkon,
E tashmja na ka poshtëruar.
Po dit’ e bukur po afron
Me të ne jemi dashuruar.

 

 

 

 

Mendo për shpirtin – Walt Whitman

Për shpirtin mendo;
Ju betohem që trupi juaj përpjesëtimet i jep Shpirtit tuaj ashtu t’jetojë në sfera të tjera;
Nuk e di sesi, di vetëm që kështu ndodh.

Mendo për dashurinë dhe t’qenët dashuruar;
Ju betohem, kushdo që jeni, mund ta përzieni veten me të tilla gjëra
a çdokush që ju sheh përmallshëm do t’shohë mbi ju.

Të shkuarën mendo:
Ju siguroj se qoftë për në çast të tjerë të shkuarën do të gjejnë tek ju dhe koha juaj.

Raca kurrë s’ndahet – as burri, as gruaja s’largohet;
Gjithçka është përzier – sendet, shpirtrat, Natyra ju po ashtu – prej stërgjyshërve vini.
Kujto guximtarët, gjithnjë t’mirëpritur, (Nënat atyre u prijnë;)
Kujto t’urtët, poetët, shpëtimtarët, shpikësit dhe ligjvënësit, të gjithë të tokës;

Kujto Krishtin vëllanë e personave t’shtypur – vëllanë e skllevërve, vrasësve, idiotëve,
vëllanë e t’çmendurve e të sëmurëve.
Mendo për kohën kur ende s’ishe lindur;

Mendo për kohën kur pranë t’vdekurit qëndroje;
Mendo për kohën kur trupi yt do të vdesë.
Mendo për pasojat shpirtërore,
Sigurtë si toka që noton nëpër qiej,
çdo gjë që ajo mbart kalon në pasoja shpirtërore.

Mendo për burrërinë, mendo veten një burë;
A e quan burrërinë asgjë dhe t’ëmblën e burrërisë asgjë?

Mendo për amësinë, mendo veten një grua;
Krijimi është amësi;
A nuk kam thënë q’amësia përmban gjithçka?
A nuk kam thënë q’universi kurrgjë s’ka më t’mirë sesa m’e mira amësi?

Përktheu: Neli Naço

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.