3 poezi nga Herman Hesse

 Ne mjegull

E çuditshme, të endesh në mjegull!
Tё vetmuar janё çdo kaçube dhe gur,
as pemët s’e shohin njëra-tjetrën,
secila qëndron e vetmuar.

Plot miq më dukej bota,
kur jeta ime ish e qartë ende;
tani që bie mjegulla
nuk shoh më nga miqtë asnjë.

Asnjë, që errësirën s’e njeh,
nuk është i urtë, sigurisht,
që lehtas dhe ghithnjë
e ndan atë nga të gjithë

E çuditshme të endesh në mjegull !
Të jetosh, vetmi, do të thotë.
Asnjë qenie s’e njeh tjetrën
secili i vetëm është në botë.


Bisede Mbremjeje

Ç’më vjen ëndërrimtare në këtë vend plot re? 
Ta dhashë zemrën time në dorë e ti s’e pe. 
E mbushur ishte plotpërplot me lumturi 
Dhe ishte kaq e nxehtë – si nuk e ndjeve ti?

Me një qeshje të thashë ma ktheve dosido. 
Një dhimbje ndjeu ajo… dhe heshti… dhe u ftoh.


Trishtim

Ç'më ngrohte gjer dje plot shije,
Sot vdekja e mban në gji.
Lule pas lulesh bien
Nga pemë e trishtimit tani.

I ndiej si bien, bien
Si borë që rrugën mbulon,
Dhe hapat më nuk ndihen,
Një heshtje e gjatë afron.

Në qiell s'ka yje as hënë.
Në zemër s'ka dashuri.
Gjer tutje një heshtje ka rënë
Dhe bota u mplak e u mpi.

Kush mbron dot zemrën një fije
Nga koha plot ligësi?
Lule pas lulesh bien
Nga pemë e trishtimit tani.

Herman Hesse

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.