3 poezi nga Alba Dajlanaj

Pianoja

E shtrirë mbi barin e njomë

fytyra përplaset në qiell

ku varur qëndron tastiera

e një pianoje bojëqielli.

Ca duar nazike të argjendta zgjaten

ashtu të dridhshme e të brishta

si një flakë qiriri

plot ankth e frikë pentagrame vizatojnë

mbi gjoksin e fryrë të atij qielli.

Ca vetëtima tingujsh vërshojnë brenda meje

stuhi notash e erëra simfonish.

Përplasen, lagin trupin tim

pastaj si aromë trëndafilash

kënga e yjeve më dhuron një sonetë.

Me dorën që më dridhet

ndjej lakuriqësinë time

që ndricohet nga notat

e cmendura të një tastiere.

Hap sytë, qëndroj lakuriq

në hapësirën e qiellit

përhumbur kërkoj fustanin, thurur

nga notat e një pianoje bojëqielli!

 

 

 

Të jetoj si një artist

Kur të ngrihem në agimin e parë,

e me diellin të nis e të flas

e për të shkruar dy rrjeshta poezi

këmishen time të gris,

më besoni e më lini të jetoj si një artist.

Kur në sytë e qenit tim besnik,

për minuta të tëra të ndalem e të shoh

ujëvara dashurish që nuk ndalen,

më besoni e më lini të jetoj si një artist.

Edhe kur them se Remarku

është i dashuri im hipotetik,

jo, mos u çudisni, por më besoni

e më lini të jetoj si një artist

Edhe kur në dhomën time

për orë të tëra të humbas

për frazën brilante që natën e shkuar

më erdh si një shpoti,

më besoni, e më lini të jetoj si një artist.

Edhe kur këpucët të mbath

e në rrugica të ngatërruara ndjesish të humbas

me monologët që zgjasin duart

dhe diellin përqafojnë në perëndim,

më lini, më lini të jetoj si një artist.

Edhe kur me një dëshirë të brendëshme

lëkurën time të shqyej

e mbi të, atë të mundimshmen plot dhembje

prej artisti të vesh,

më besoni e më lini të jetoj si një artist!

 

 

 

 

Jam një dritë e pjerrët

Unë jam një dritë e pjerrët,

që në zbehtësinë e saj ndriçon,

por dhe as nuk shuhet.

Unë jam një përthyerje drite,

as e kuqe, as e bardhë, jam…

… e pangjyrë dhe mbushur plot melankoli.

Jam një përthyerje drite,

që hojet e mendimeve të mia mbush,

si një pyll në pranverë jam mbarsur

me vargje që lëvrijnë brenda meje

një pyll i mbarsur me sythe e gjethe në të çelur.

Jam fytyra gri e një gruaje shtatzënë

që natën kalon me dhembje,

një zog i pangjyrë unë jam

me sytë që mbajnë një dritë të pjerrët,

një melankoli e gjatë perëndimesh jam

në kërkim të një vargu a të një ëndrre.

As e kuqe, as e bardhë, as e zezë nuk jam

kam ngjyrën gri të qiellit në pragun e një dimri

mbarsur me dëborë e me stuhi.

Unë jam një dritë e pjerrët

një gjëndje e brishtë e pangjyrë si një melankoli

një gongël që vërtitet e prek skajet e mia

midis gëzimit e trishtimit,

jam poetja e vogël brenda meje

mbarsur varg e poezi!

Shkëputur nga vëllimi me poezi “Në kërkim të një ëndrre..”

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.